Secondary Adv

Europa shënon rekord fluturimesh gjatë verës, Shqipëria ndër destinacionet me rritje të lartë

Hapësira ajrore europiane regjistroi nivelin më të lartë të trafikut të shënuar ndonjëherë gjatë sezonit veror, nga korriku në gusht 2026.

Shqipëria ishte mes destinacioneve me rritje të lartë të fluturimeve, ndërsa konflikti në Lindjen e Mesme ka orientuar më shumë europianë drejt pushimeve brenda kontinentit.


Sipas të dhënave të Eurocontrol, organizata europiane për sigurinë e navigimit ajror, gjatë verës në Europë u regjistruan mesatarisht 35,959 fluturime në ditë, 2.4 për qind më shumë se në vitin 2025. Rekordi u arrit të premten, më 10 korrik, me 37,640 fluturime brenda një dite.


Pavarësisht rritjes së ndjeshme të trafikut, 72.6 për qind e fluturimeve mbërritën në kohë, një përmirësim me 1.2 pikë përqindje krahasuar me vitin 2025. Franca vijoi të kishte performancën më të dobët për vonesat e shkaktuara nga problemet në menaxhimin e trafikut ajror, duke qenë përgjegjëse për 32 për qind të të gjitha vonesave.


Shqipëria mes destinacioneve me rritje të lartë

Eurocontrol vlerëson se lufta SHBA-Iran ndikoi në sezonin turistik, por njëkohësisht nxiti shumë europianë të orientohen drejt destinacioneve më pranë vendeve të tyre dhe të perceptuara si më të sigurta.


Raporti tregon se konflikti solli trafik më të ulët në Bullgari, Hungari dhe Turqi, ndërsa një “rritje e lartë” u regjistrua në Shqipëri, Kroaci, Qipro, Greqi, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Serbi dhe Slloveni. Në Europën Jugperëndimore u evidentua gjithashtu një “rritje e vazhdueshme”.


Në Greqi, numri rekord i pasagjerëve në aeroporte e çoi sistemin e kontrollit të trafikut ajror pranë kufijve të kapacitetit, veçanërisht gjatë kulmit të sezonit turistik.


Gjithsej 14 vende regjistruan këtë verë nivelin më të lartë të trafikut ditor të shënuar ndonjëherë për mbërritjet dhe nisjet. Mes tyre ishte edhe Shqipëria, së bashku me Armeninë, Gjeorgjinë, Greqinë, Irlandën, Italinë, Moldavinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Portugalinë, Serbinë, Sllovakinë, Spanjën dhe Turqinë.


Rekorde trafiku u regjistruan edhe nga disa kompani dhe grupe ajrore, përfshirë Aegean, Air Serbia, easyJet, Jet2.com, Pegasus, Royal Air Maroc, Ryanair, Sky Express, SunExpress, Turkish Airlines dhe Wizz Air.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat